Sureja nr. 88 në Mus'haf, 26 ajete, fillon në faqen 592.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. A të ka ardhur lajmi për Ndodhinë Gjithëpërfshirëse?
2. Disa fytyra, atë Ditë, do të jenë të përulura,
3. që kanë punuar e janë stërmunduar,
4. por që do të hyjnë në Zjarrin përvëlues
5. dhe do të pinë nga një burim i valuar.
6. Për ta nuk do të ketë tjetër ushqim përveç ferrave të thata,
7. që as shëndoshin, as shuajnë urinë.
8. E disa fytyra, atë Ditë, do të jenë të lumtura,
9. të kënaqura me përpjekjen e tyre,
10. në një kopsht të lartë Xheneti,
11. ku nuk do të dëgjojnë asnjë fjalë të kotë.
12. Aty ka një burim që rrjedh,
13. divane të ngritura,
14. kupa të vendosura,
15. jastëkë të radhitur
16. dhe qilima të shtruar.
17. A nuk i shohin devetë se si janë krijuar;
18. qiellin se si është ngritur lart;
19. malet se si janë vendosur
20. dhe tokën se si është shtrirë?!
21. Prandaj këshillo, se ti je vetëm këshillues
22. dhe nuk je detyrues ndaj tyre.
23. Por, atë që kthen shpinën dhe nuk beson,
24. Allahu do ta ndëshkojë me dënimin më të madh.
25. Me të vërtetë, te Ne është kthimi i tyre,
26. dhe është detyrë Jona t'i marrim në llogari.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.