Sureja nr. 87 në Mus'haf, 19 ajete, fillon në faqen 591.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Lartësoje emrin e Zotit tënd, më të Lartit,
2. i Cili krijoi dhe përsosi (çdo gjë),
3. përcaktoi e udhëzoi,
4. dhe bëri të mbijnë kullotat
5. e pastaj i bëri të thahen e të vyshken.
6. Ne do ta lexojmë ty (Kuranin), kështu që nuk do të harrosh,
7. përveç asaj që do Allahu. Ai e di të dukshmen dhe atë që fshihet.
8. Ne do të ta lehtësojmë ty rrugën e lehtë,
9. prandaj këshillo, nëse këshilla bën dobi,
10. se do të përfitojë prej saj ai që ka frikë (Allahun)
11. dhe do t'i shmanget më i mjeri,
12. ai që do të digjet në Zjarrin e madh,
13. ku as do të vdesë, as do të jetojë.
14. Ka fituar ai që pastrohet,
15. që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që falet.
16. Por ju i jepni përparësi jetës së kësaj bote,
17. ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe më e qëndrueshme.
18. Në të vërtetë, kjo gjendet në Fletët e hershme,
19. në Fletët e Ibrahimit dhe të Musait.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.