Sureja nr. 85 në Mus'haf, 22 ajete, fillon në faqen 590.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Betohem në qiellin me yjësi,
2. në Ditën e premtuar,
3. në dëshmitarin dhe në atë që dëshmohet!
4. Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut,
5. të zjarrit plot lëndë djegëse,
6. kur rrinin ulur përreth tij,
7. duke dëshmuar atë që po u bënin besimtarëve.
8. Ata i patën mëri (besimtarët) vetëm pse këta e besonin Allahun, të Plotfuqishmin, Lavdiplotin,
9. Atë të Cilit i takon pushteti i qiejve e i Tokës. Allahu është Dëshmitar i çdo gjëje.
10. Në të vërtetë, ata që i dogjën besimtarët e besimtaret dhe nuk u penduan, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie.
11. Ndërkaq, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë kopshte Xheneti, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja e madhe.
12. Vërtet, hakmarrja e Zotit tënd është e rreptë.
13. Ai e nis krijimin dhe e ribën atë.
14. Ai është Falësi i Madh, i Dashuri.
15. Zoti i Arshit, i Lavdishmi,
16. Bërësi i gjithçkaje që dëshiron.
17. A të ka ardhur lajmi i ushtrive
18. të Faraonit dhe themudëve?
19. Megjithatë, jobesimtarët vazhdojnë të përgënjeshtrojnë,
20. ndonëse Allahu i ka nën mbikëqyrje të plotë.
21. Në të vërtetë, ai është një Kuran i lavdishëm,
22. në një Pllakë të Ruajtur.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.