Sureja nr. 84 në Mus'haf, 25 ajete, fillon në faqen 589.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Kur qielli të çahet,
2. duke iu bindur Zotit të vet, ashtu siç do të duhej të bënte,
3. dhe kur toka të rrafshohet,
4. e të nxjerrë ç’ka brenda saj dhe të zbrazet,
5. duke iu bindur Zotit të vet, ashtu siç do të duhej të bënte,
6. O njeri! Ti mundohesh pareshtur (në rrugëtimin) drejt Zotit tënd dhe ti do ta takosh Atë.
7. Sa për atë që libri i vet i jepet në dorën e djathtë,
8. ai do të ketë llogari të lehtë
9. dhe do të kthehet te familja e vet i gëzuar.
10. Ndërkaq, ai që libri i vet i jepet pas shpine,
11. do të ndjellë shkatërrimin
12. dhe do të digjet në Zjarrin flakërues,
13. sepse ai jetonte i gëzuar në familjen e vet,
14. duke menduar se nuk do të kthehej kurrë (te Zoti).
15. Por, Zoti i tij e ka parë mirë atë.
16. Betohem në kuqërrimin e mbrëmjes,
17. në natën dhe në gjithçka që ajo kaplon,
18. si dhe në Hënën e plotë,
19. se ju do të kaloni nga një gjendje në tjetrën.
20. Atëherë, ç’kanë që nuk besojnë
21. dhe, kur u lexohet Kurani, nuk bien në sexhde?!
22. Në të vërtetë, ata që nuk besojnë, përgënjeshtrojnë,
23. ndërkohë që Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.
24. Prandaj, jepu atyre lajmin për një dënim të dhembshëm,
25. përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira; për ta do të ketë shpërblim të pandërprerë.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.