Sureja nr. 82 në Mus'haf, 19 ajete, fillon në faqen 587.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Kur qielli të çahet;
2. kur yjet të shkapërderdhen;
3. kur detet të shpërthejnë
4. dhe kur varret të përmbysen,
5. atëherë secili do ta kuptojë çfarë ka bërë dhe çfarë ka lënë mangët.
6. O njeri, ç'të mashtroi ty ndaj Zotit tënd Bujar,
7. i Cili të krijoi, të dha përmasa të rregullta e të harmonizoi
8. dhe, në trajtën që deshi, të formësoi?!
9. Jo, por ju e përgënjeshtroni Ditën e Gjykimit.
10. Ndërkaq, mbi ju ka mbikëqyrës,
11. shkrues fisnikë,
12. që dinë gjithçka që bëni.
13. Vërtet, të mirët do të jenë në lumturi,
14. kurse, të ligjtë do të jenë në Zjarrin flakërues,
15. në të cilin do të digjen në Ditën e Gjykimit,
16. pa dalë kurrë prej tij.
17. E, nga e di ti se ç’është Dita e Gjykimit?
18. Sërish, nga e di ti se ç’është Dita e Gjykimit?
19. Është Dita kur askush s'do të mund t'i ndihmojë askujt dhe kur i gjithë pushteti do të jetë vetëm i Allahut.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.